Shqipëri

Reagon Basha: Ky është vendimi që duhet të marrë urgjent Edi Rama

“Protesta e sotme, tregon se durimit i ka ardhur fundi.”

Kështu e nis deklaratën e tij, kreu i PD-së Lulzim Basha, pas protestës së dhunshme ditën e sotme në rrugën e Kombit.

Basha thotë se protesta ishte një reagim për grabitjen e dyfishtë që Rama i bën xhepave të shqiptarëve me taksën më të lartë të qarkullimit dhe me tarifën më të lartë për “Rrugën e Kombit”.

Kreu I PD-së I ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të pezullojë menjëherë tarifën e “Rrugës së Kombit”, ndërsa ka sqaruar se pagesa për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit” të kryhet nga fondi që mblidhet me taksën e qarkullimit, plot 200 milionë euro në vit.

Reagimi i Bashës:

Ky është reagimi për grabitjen e dyfishtë që Rama i bën xhepave të shqiptarëve me taksën më të lartë të qarkullimit dhe me tarifën më të lartë për “Rrugën e Kombit”.

Kjo tarifë është një gjobë ndaj popullit. Është taksim i dyfishtë  sepse Edi Rama u merr shqiptarëve me taksën e qarkullimit, 200 milionë euro në vit për mirëmbajtjen e rrugëve. Por nuk u mjaftua me kaq. Ai vuri edhe një nga tarifat e rrugës më të larta në Europë për kalimin e Rrugës së Kombit.

Edi Rama e vendosi tarifën me dhunë. Me dhunën e kartonave në parlament, dhunën e policisë, dhe dhunën e gjithë shtetit, Edi Rama po grabit qytetarët për të mbushur xhepat e tij.

Tarifa e Rrugës së Kombit është dënim për qytetarët e një nga zonave më të varfra të Shqipërisë, që kanë vuajtur historikisht nga izolimi dhe shpërfillja.  Ky është populli që Rama përçmon, kjo është revolta, që Rama thotë nuk ekziston. Ky është populli me të cilin Rama u tall se nuk ngrihet dot.

Ky është vetëm fillimi. Sepse nga nesër, një vjedhje tjetër e madhe i bëhet popullit me taksën e pronës, dhe biznesit të vogël me TVSH-në.

Sot, qytetarët vendosën t’i thonë ndal dhunës së Edi Ramës. Qytetarët sot i treguan Edi Ramës, se një qeveri antipopullore dhe antikombëtare nuk e mposht dot popullin.

Në emër të opozitës i kërkoj Edi Ramës të pezullojë menjëherë tarifën e “Rrugës së Kombit”. Pagesa për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit” të kryhet nga fondi që mblidhet me taksën e qarkullimit, plot 200 milionë euro në vit.

I bëj thirrje Ramës, të tërheqë menjëherë policinë dhe të ndalë dhunën barbare mbi protestuesit. Revolta e banorëve është revoltë që buron nga padrejtësia dhe dhuna qeveritare kundër tyre.

Kur përplaset populli i ndershëm me një qeveri të korruptuar, fiton populli.