Shqipëri

Përmbytjet në Shkodër, Panariti: Pse qeveria nuk po shpall emergjencën?!

Deputeti e ish Ministri i LSI-së Edmond Panariti ka kërkuar nga qeveria angazhim maksimal dhe ndërhyrje të menjëhershme në Shkodër, atje ku dëmet në pasuri e sidomos bujqësi, janë kolosale.

Përmes një deklarate për median, Panariti ka kërkuar që ndërhyrja e shtetit të jetë energjike, teksa ka shtuar se është e pakuptimtë që popullta e nën-Shkodrës të vuajë përmbytjet e vazhdueshme. Panariti ka shprehur gjithashtu dhe habi për arsyen apo arsyet se përse qeveria nuk shpall gjëndjen e emergjencës në Shkodër.

Përsa i përket sektorit të bujqësisë, Panariti vuri në dukje se i gjithë prodhimi në Shkodër është prekur rëndë dhe se është në tagrin e qeverisë që të dëmshpërblejë të prekurit.

“Grupi Parlamentar I LSI në takimin e përjavshëm diskutoi për çështjet e ditës, veçanërisht diskutimet e grupit u përqendruan në situatën dramtike të përmbytjeve të shkaktuara ditët e fundit, ku me mijëra hektarë sipërfaqe toke bujqësore, me qindra dhe mijëra banesa janë të përmbytura, prodhim bujqësor dhe bagëti të dëmtuara, dëme kolosale të shkaktuara nga këto përmbytje, të shkaktuara për hir të së vërtetës jo vetëm  nga faktorë natyrorë, por edhe nga faktorë njerëzor. Grupi Parlamentar I LSI konstaton se ndërhyrjet e shtetit, e organizmave shtetëor janë anemike. Janë thuajse inegzistente, ndërkohë që kërkohej një mobilizim total për tu ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur, të cilët janë të dëmtuar rëndë dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për ndërhyrje emergjente. Ndërkohë që nuk kuptojmë pse qeveria heziton të shpall gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ne ndodhemi de facto në kushtet e një katastrofe natyrore, e cila ka përfshirë të gjithë Shqipërinë. Pra, kërkohet ndërhyrje emergjente.

LSI u bën thirrje institucioneve shtetëore, të cilët të jenë në terren, të jenë përkrah banorëve, përkrah bizneseve të dëmtuar, përkrah fermerëve të dëmtuar, dhe të mobilizojnë në radhë të parë ndihmat emergjente, të zhvendosin popullatën nga banesat e përmbytura, ti pajisin ata me materiale të domosdoshme për të garantuar në radhë të parë mbijetesën, dhe më pas të shpërndajnë ndihma ushqimore, bazë ushqimore për blegtorinë, dhe ajo që është më kryesore të çojnë në mënyrë urgjente grupet e vlerësimit, të dëmeve të shkaktuara nga kjo katastrofë natyrore. Është kjo që kërkohet, është kjo dhe apeli I fuqishëm që vjen nga banorët e zonave të përmbytura. Ajo që ne kërkojmë që tashmë në shumë zona të vendit kemi kompromentim të rëndë të prodhimit bujqësor. Me qindëra hektarë sera janë tashmë të shkatërruar, bimët kanë më tepër se 24 orë që janë në ujë, janë të asfiksuara, dhe prodhimi bujqësor është totalisht I dëmtuar.

Prandaj fermerët nuk kanë më përse të presin fondet propogandistike të Xha Agros, por fondet për subvencione në ato zona ku prodhimi bujqësor tashmë është inekzistent duhet të kalojë për dëmshpërblimin e këtij prodhimi të kompromentuar dhe për këtë nuk duhet hezituar. Grupet e punës nga MInistria e Bujqësisë, nga Ministria e Pushtetit lokal dhe nga bashkitë duhet të ishin në terren për të bërë vlerësimet, për të filluar procesin e vlerësimit dhe më pas të dëmshpërblimit të dëmeve katastrofike të shkaktuar nga kjo fatkeqësi natyror. Për këtë u diskutua nga grupi parlamentar I LSI-së, e cila kërkon urgjentisht bërjen e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara, njëkohësisht dhe mbajtjen e përgjegjësive, aty ku kemi veçanërisht shkarkime të parakorduara, të paparalajmëruara, të cilët e kanë rënduar akoma më shumë situatën e përmbytjes në veri të vendit. Prandaj kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme dhe ajo që është më kryesore mobilizimi I fondeve shtetëore, mobilizimi I fondeve të emergjencës, dhe mobilizimi I fondeve të subvencioneve të bujqësisë, të premtuara tashmë prej ditësh, të cilët duhet të vihen në dispozicion të menjëhershëm në funksion të rehabilitimit të prodhimit bujqësor dhe blegotral të dëmtuar, në rehabilitimin e atyre bizneseve që tashmë janë të dëmtuara në tërësinë e tyre, në mënyrë që të ngrihen në këmbë. Për këtë grupet e punës duhet të ishin në terren, por për fat të keq shohim mospraninë e tyre në territoret e përmbytura. “-tha Panariti.