Shqipëri

Paloka: Jo pazare për marrëveshjen e detit, Presidenti ka marrë informacion të plotë

Nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka thotë se një marrëveshje e drejtë me Greqinë për çështjen e detit është e mirëpritur, nëse ajo realizohet bazuar mbi drejtësinë, dhe jo në pazare.

Në “News24”, deputeti demokrat thotë se nisur nga fakti që Presidenti Meta ka dhënë autorizimin për fillimin zyrtar të negociatave, duhet të ketë marrë informacion të plotë.

Teksa shtoi se deputetët e opozitës nuk kanë informacion për këtë proces, Paloka theksoi se negociatat duhet të marrin kohën e nevojshme.

“Më vjen mirë që Presidenti më në fund ka marrë informacionin e duhur, përderisa ka dhënë autorizimin për plotfuqishmërinë. Deri dje kjo çështje ka qenë plotësisht në terr, edhe për ne si deputetë të mazhorancës, dhe anëtarë të Komisionit të Jashtëm.

Synohet që të arrihet një marrëveshje me Greqinë. Që kjo marrëveshje të qëndrojë në këmbë duhet që të dyja palët të jenë të kënaqura, dhe ajo të realizohet mbi drejtësinë dhe jo mbi pazaret. Ne të gjithë jemi të kënaqur që nisin negociatat për këtë marrëveshje. Ajo që ne nuk dimë deri më tani është a janë të vërteta ajo që kemi dëgjuar deri më sot. Edhe koha e arritjes së negociatave është me rëndësi. Nëse i mbyllim bisedimet me Greqinë për një javë, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon”, u shpreh deputeti demokrat.

Sakaq, ai shprehu rezerva sa i takon grupit negociator, duke u ndalur tek emri i Artur Meçollarit. Paloka tha se për të ka një dosje për të cilën duhet të bëhen verifikime.

Ai shtroi pyetjen se “përse nuk zëvendësohet Meçollari me një negociator tjetër”, nisur nga fakti se për të ka hije dyshimi.

“Pjesa tjetër sa i takon grupit negociator ka disa pika të errëta. Sipas informacionit që kemi ne, Meçollari ka një dosje 400 faqe. Nëse kjo dosje është zhdukur, atëherë kjo është shumë e rëndë. Pse këmbëngulet kaq shumë që Meçollari të jetë negociator, ku ka këto hije dyshimi? Pse nuk zëvendësohet ky negociator? Por përkundrazi, jo vetëm që nuk zëvendësohet por këmbëngulet që të jetë pjesë e grupit negociator”, u shpreh deputeti Paloka.