Lajmet

Haradinaj thotë se ka qejf ta mësojë gjuhën gjermane

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e Qendrës “Goethe”, organizuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë

Ai në këtë takim ka treguar se në Kosovë ka parë shumë të interesuar për ta mësuar gjuhën gjermane, por ndër të tjerash ka thënë se edhe vetë ai ka dëshirë ta mësojë.

“Ne si Kosovë dhe qytetarët tanë jemi të etur për kulturën e popujve dhe këtë e kemi dëshmuar me aftësinë tonë për të mësuar gjuhën. E di që në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për ta mësuar gjuhën gjermane. Edhe unë kam qejf ta mësoj. Gjuha gjermane është prezentë në Kosovë, plotë e flasin, por ka plotë të tjerë që kanë qejf ta mësojnë gjuhën e Gëtes, Ajnshtajnit, Mozartit, Hegelit, gjuhën e plotë njerëzve që i njeh bota”, tha Haradinaj.

Për ta kuptuar një popull, Haradinaj tha se “mënyra më e drejtë është me fol gjuhën”.

Kryeministri falënderoi institutin “Goethe” për ndihmën e dhënë për mësimin e gjuhës gjermane, njohjen e popullit gjerman, gjuhën, kulturën dhe vlerat e popullit gjerman.
“Ne këtë e marrim edhe si ndihmë edhe si respekt për Kosovën andaj edhe ne do të jemi mirënjohës për këtë”, tha kryeministri Haradinaj.