Lajmet

Çeku: FSK de fakto është Ushtria e Kosovës

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku,ka deklaruar të martën se Kosova do ta krijojë ushtrinë e vet në koordinim me panterat ndërkombëtar dhe atë përmes ndryshimeve kushtetuese. Në emisionin Imazh në Radio Televizionin e Kosovës, ai tha se duhet të krijohet një klimë më e favorshme për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Sipas tij,  Kosova de jure nuk e ka ushtrinë, por siç tha ai, de fakto ekziston ushtria e Kosovës.

Zv. Ministri Çeku, tha se ky është një proces i pandalshëm, por sipas tij, janë disa pengesa të vogla dhe kjo është një padrejtësi që po i bëhet shtetit të Kosovës.

“Politika e Beogradit po e kundërshton, dhe kjo është pjesë e strategjisë së tyre të cilët nuk e përkrahin çdo element që është i shtetësisë së Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë serbët e Kosovës nuk e përkrahin themelimin e ushtrisë së Kosovës,  sepse ne kemi brenda FSK-së pjesëtarë të komunitetit serb. Andaj,qytetarët serb e duan FSK, por politika e Beogradit  i instrumentalizon qytetarët serb”, tha ai në RTK , duke shtuar se Lista Serbe , e cila gjoja përfaqëson interesat e serbëve në Kuvendin e Kosovës  lirisht mund të quhet lista e Beogradit, të cilët  janë të instrumentalizuar nga Serbia.

Çeku ndërkaq deklaroi se është bërë shumë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës dhe në këtë drejtim presim që FSK të ndryshojë misionin dhe te jetë ushtria e ardhshme e Kosovës.

“Jemi  në prag të realizimit të këtij synimi apo vizioni për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe ky është ndër prioritetet e institucioneve. Prandaj, me të drejtë presim një  zhvillim të tillë”, tha ai, duke shtuar se  problemi kryesor për mos krijimin e ushtrisë së Kosovës  janë pikërisht deputetet serb, port të cilët ende nuk jemi të sigurt se do të votojnë pro themelimit të Forcave të Armatosura.