Biznes

Rritet çmimi i naftës, ndikohet nga aktivitetet në SHBA

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje të lehtë, në sesionin e parë të kësaj jave, për shkak të rënies së aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë javës së kaluar dhe për shkak të luftimeve në Siri midis forcave turke dhe luftëtarëve kurdë.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në 68.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.5 dollarë për fuçi. Kompanitë amerikane të energjisë e ulën me pesë njësi numrin e puseve aktive, gjatë javës që u mbyll më 19 janar në totalin e 747 puseve.

Por, pavarësisht kësaj numri i puseve aktive vijon të jetë shumë më i lartë se viti 2016, që ka rritur me 16% prodhimin e naftës argjilore në Shtetet e bashkuara të Amerikës, që nga mesi i vitit 2016, në totalin e 9.75 milionë fuçive.

Gjithashtu, çmimet po mbështeten lehtë edhe nga tensioni në Lindjen e Mesme. Në Siri, ushtria turke filloi një aksion kundër kurdëve, në provincën e Afri, duke mbështetur gjithashtu çmimet.

Analistët shprehen se, nëse luftimet do të vijojnë atëherë tendenca e çmimeve do të jetë në rritje, për shkak të pozicionit strategjik të Sirisë në qarkullimin e naftës.

Por, pavarësisht konflikteve në Lindjen e Mesme dhe përpjekjeve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe Rusisë për të ulur prodhimin, analistët paralajmërojnë se çmimet do të vijojnë korrektimin në kahun e poshtëm, duke u larguar nga niveli më i lartë që nga viti 2014 të regjistruar në mes të janarit. /Scan