Biznes

Bashkëthemeluesi i ‘Uber’ hyn në listën e miliarderëve

Bashkëthemeluesi i kompanisë për shërbimet e taksive ‘Uber’, Travis Kalanick pritet të hyjë së shpejti në listën e miliarderëve, kjo pasi investitorë të huaj pranuan të blejnë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve të kompanisë.

Konkretisht, një konsorcium i udhëhequr nga grupi japonez ‘SoftBank’ do të blejë 9.3 miliardë dollarë aksione të ‘Uber’-it, apo 17.5 për qind të aksioneve, shkruan Telegrafi. Nga kjo shumë, 1.3 miliardë do të investohen në formë parash të thata për aksione të reja, ndërsa pjesa tjetër do t’u kalojë investitorëve aktualë. Vetë kompania e ka cilësuar marrëveshjen e arritur një rezultat të rëndësishëm për aksionerët, punëtorët dhe klientët, pasi përforcon pozitat e saj dhe mundëson rritjen e investimeve.

Kalanick, i cili u tërhoq nga posti i shefit ekzekutiv në qershor, do të shesë aksione me vlerë 1.4 miliard dollarë. E teksa prej kohësh përflitej si miliarder vetëm nëpër gazeta, marrëveshja në fjalë duket se konkretizon statusin e tij.

Kalanick u detyrua të jepte dorëheqjen nga drejtimi i ‘Uber’-it pas një seri skandalesh që e përfshinë atë, por lidhjet e tij me kompaninë mbeten të forta. Ai gëzon ende një post të lartë dhe aktualisht po shet vetëm një të tretën e aksioneve të tij që do të thotë se i mbetet një hise me vlerë 3 miliardë dollarë. /Telegrafi/

Loading...